(Nëse doni të anashkaloni artikullin dhe të lexoni menjëherë kartën e performancës klikoni linkun)
"Udha e shkronjave" sapo ka botuar Kartën e Performancës së Arritjeve për vitin 2017-2018. Vetë hartimi i këtij dokumenti me 76 faqe A4 është një kujdes i madh yni për publikun, për prindërit që duan të dinë pikëpamjen e shkollës "Udha e shkronjave" për veten e vet. Duket sikur kështu është gjithkund, por nuk është. E çuditshme, por është e vërtetë: shkollat private nuk thonë "Ne jemi shkollë e shkëlqyer dhe arsyet janë këto...." Në shumicën e tyre prindi, publiku do të gjejë argumentime që i bien anash kësaj fjale dhe që duken sikur janë e njëjta gjë, por nuk janë. P.sh. mund të gjejë "nëse ju studioni fort tek ne, do të arrini shumë..." që nuk është e barabartë me "ata që kanë studiuar në të kaluarën tek ne ja ku i kanë rezultatet" (pra fakt i kaluar dhe jo premtim i së ardhmes).
Një krahasim që duam ta bëjmë patjetër është me analizat që bankat u bëjnë klientëve që duan kredi. Ata duan kryesisht performancën e tyre të vitit të fundit dhe jo çfarë ka ndodhur në 20 vjet me to. Para dhjetë vjetësh shkolla mund të ketë qenë "mrekulli", por tani aty ka ka një "rutinë", gjërat kanë ndryshuar për keq, ose shkolla nuk ka lëvizur nga vendi kur duhej të lëvizte. Pikërisht kjo gjë del në pah kur shkolla bën Kartën e Performancës. Ajo flet edhe me gjuhën e "heshtjes". Gjërat që mungojnë dhe janë shumë të tilla, do të dilnin qartë nëse shkolla do të guxonte të bënte Kartën e Performancës. Ajo e di që Karta e Performancës është publike dhe publiku di të lexojë, ndaj shkolla nuk e boton dhe atëherë ajo është "rehat". Askush nuk mundet ta kapë "në fjalë" se ajo fjalën nuk e ka thënë.
E para gjë që mendon dikush kur sheh Kartën e Performancës "Udha e shkronjave" (shih linkun), është "arritjet e një shkolle private" dhe kaq. Por nuk është kaq. Kështu do të ishte nëse të gjitha shkollat (private ose shtetërore) do ta botonin kartën e tyre dhe ne do të ishim një nga shkollat. Por në fakt jemi e vetmja shkollë që e botojmë dhe askush tjetër nuk e boton. Nëse të gjithë nuk e botojnë kjo nuk është "standard i lartë", ose qoftë edhe "standard", por thjesht "godinë e evazivitetit dhe e mjegullnajës së madhe" që vetë shkollat shpërndajnë (edhe pse është traditë ne po themi pasojat që ka) për çfarë ndodh në to. Sigurisht që jo të gjithë (brenda një shkolle) duan mjegullnajë, por ata (brenda shkollës) që e duan detyrojnë ata që s'e duan mjegullnaja të mos largohet. Ndaj shkolla si e tërë (dhe jo pjesë-pjesë) duhet të jetë shumë mirë që ta botojë.
Nëse shkollat private nuk deklarojnë cilësinë që kanë (edhe pse sipas tyre, pra jo siç e kemi ne "Udha e shkronjave", edhe sipas një instuticioni të jashtëm për ne Cambridge Assessment International Education), atëherë prindi nuk ka ku të kapet në arsyetime dhe këtu marrëdhënia e tij me shkollën është thjesht marrëdhënie rutinë, pasojë e viteve që shkojnë me mendimin "ashtu ka qenë edhe në kohën tonë" (s'kemi patur Kartë Performance).
Prindërit e shkollës "Udha e shkronjave" janë shumë lart në të drejtat dhe edukimin me këto të drejta që ne u sigurojmë atyre. Nëse ne deklarojmë diçka, ai menjëherë mund të mendojë "A është e vërtetë kjo që deklarohet?! Ku janë referencat? A qëndron ky arsyetim?! A vlejnë këto veprimtari?! Pse nuk ka të tilla apo të atilla?" Nuk është rastësi që grupi i prindërve të shkollës sonë përbëhet nga shtresa e mesme, ajo e profesionistëve të zotë (pedagogë, mjekë, juristë, financierë, arkitektë, inxhinierë, ushtarakë etj.)
Karta e performancës "Udha e shkronjave" nuk është një faqe sa është detyrimi minimal që kërkon Ministria nga shkollat, por është 76 faqe.
Në këtë dokument do të gjeni arritjet kryesore të shkollës “Udha e shkronjave” gjatë vitit mësimor 2017 - 2018. siç janë rezultatet klasë pas klase dhe lëndët kryesore, rezultatet nuk janë veç ato që prodhohen normalisht nga puna gjatë vitit si në çdo shkollë (nota mesatare e shkollës) por janë edhe ato që prodhohen nga Cambridge Assessment International Education si rezultat i kontrollit të përvitshëm dhe i certifikimeve ndërkombëtare që shkolla "Udha e shkronjave" u nënshtrohet. Në kartën e performancës gjeni shkëlqimin e çdo klase, arsyetimin pse, pjesëmarrjet në konkurset kombëtare, lokale dhe rezultatet, veprimtaritë kombëtare, lokale dhe brenda shkollës që ne kemi organizuar e shumë informacione të tjera që i krijojnë një bindje të qartë prindit për nivelin e shkollës "Udha e shkronjave". Çfarë është më e rëndësishme është argumentimi se pse shkolla "Udha e shkronjave" është një shkollë e shkëlqyer e Kembrixhit dhe jo thjesht një shkollë e licensuar nga Kembrixhi që shton numrin e komunitetit global të Kembrixhit. Këtë argumentim e kemi në një mënyrë krejt të padyshimtë, përmes numrave dhe statistikave që nuk lënë asnjë pikë dyshimi.
“Udha e shkronjave” u themelua si shkollë në vitin 1997. Në vitin 2000 ajo krijoi Olimpiadën Kombëtare. Në vitin 2012, u miratua të ketë statusin Cambridge International School. Në 2016 mori statusin Cambridge Professional Center nga Cambridge Assessment International Education, departament i Universitetit të Kembrixhit.
Arritja më e madhe e vitit që sapo lamë pas ishte fakti që dokumentacioni dhe arritjet e shkollës “Udha e shkronjave” u testuan me sukses në pranimet në universitetet e toplistës botërore. Ju nuk duhet ta kuptoni këtë si një lajm të tipit “dikush nga “Udha e shkronjave” qenka pranuar në ndonjë universitet të mirë. Kjo do të ishte shpërdorim i kuptimit “testuar me sukses”. Nxënës nga “Udha e shkronjave” që janë pranuar në universitete të toplistës ka patur edhe më parë, por ata nga ne kanë patur vetëm arritjet në 9-vjeçare dhe arritjet e tyre të së mesmes kanë qenë në shkollime të tjera (jashtë vendit). Ne sivjet po themi që kemi pranime në toplistën botërore vetëm me programet, kualifikimet (Cambridge) të siguruara nga puna në shkollën e mesme “Udha e shkronjave”, që do të thotë se këtej e tutje, do të jetë një standard i arritur për shkollën, jo për nxënësin. Nxënësi dhe prindi kërkon shkollë cilësore dhe ai me të drejtë duhet të shtrojë pyetjen “Nëse e realizoj me sukses planin e shkëlqimit të shkollës së mesme “Udha e shkronjave”, a mund të kem shpresa të bazuara që të regjistrohem në një nga universitetet e toplistës botërore?”.
Ne vetëm tani themi “Po” dhe jemi e para shkollë shqiptare që e arrijmë.
“Udha e shkronjave” patur një pesëfishim në regjistrimet e nxënësve (klasa 9-11) në kualifikimet ndërkombëtare Cambridge IGCSE dhe Cambridge A Level gjatë vitit të kaluar. Nxënësit e shkollës “Udha e shkronjave” vijojnë të mbajnë një nivel të lartë të problemzgjidhjes, të anglishtes, të shkencave, të paraqitjes në art dhe në sport. Ata vijojnë të mbajnë një numër shumë të vogël të shkeljeve disiplinore. Ata u paraqitën shkëlqyeshëm në Olimpiadën XVIII Kombëtare 1-9 qershor 2018.
Kjo kartë e performancës do t’ju njohë më mirë dhe më në detaje me këto arritje. Aty do të gjeni edhe arsyetimin se pse rezultatet e shkollës "Udha e shkronjave" jo vetëm ndodhen më lart se mesatarja globale e Kembrixhit, por ato kanë një trend në rritje nga fillorja në ciklin e lartë, që është në kundërshtim me trendin global që është në rënie nga fillorja në cikël të lartë.
LEXONI KARTËN E PERFORMANCËS "UDHA E SHKRONJAVE" 2017-2018.