Besa - programi i edukimit shpirtëror (faith)

Besa e Bujarëve Shqiptarë

Në 2009, u botua libri "Besa, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë", me autor Artur Shkurtin, drejtor i shkollës "Udha e shkronjave". Në të përmblidhen mbi 2000 poezi e copa poezish këshilluese që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri më sot, nga rreth 80 poetë shqiptarë. Synimi i librit është t'u japë shqiptarëve bazën e këshillimit më të mirë të poetëve tanë, që shërben si orientim për anë të ndryshme të botëkuptimit fetar, kombëtar, shoqëror etj.

Programi i edukimit shpirtëror të nxënësve

"Besa" i dha udhë një pune më cilësore me edukimin shpirtëror të nxënësve shqiptar sidomos në shkollat laike, që në kushtet e demokracisë u gjendn bosh në këtë program dhe është fakt që shkollat nuk kanë asnjë program për të cilin të jetë rënë dakort dhe me shumë mundësi nuk do të kenë edhe për shumë kohë për shkak të ndikimeve të ndryshme të grupeve të ndryshme të interesit. Por ne jemi shkollë private, kemi lirinë akademike dhe e kemi konceptuar një ide për këtë, e cila është në përpunim të vazhdueshëm, por edhe në realizim praktik.

Besa synon një qartësi më të madhe në çështjen fetare

Biem dakort të gjithë që Rilindja Kombëtare Shqiptare e shekullit 19 dhe e fillimshekullit 20 pati idetë më të ndritura në këtë drejtim dhe ne vijojmë në këtë udhë, jo vetëm duke cituar por edhe duke zhvilluar sa më shumë idetë e tyre. Nisemi nga thënia e Sevasti Qirjazit "Punën e tyre na e lanë ta bëjmë në tjatër mënyrë, por kurrë me tjetër shpirt".

Besa synon edukimin atdhetar

Edukimi atdhetar i nxënësve është përgjithësisht i qartë për mësuesit dhe për shkollat. Të gjithë e dinë që kjo realizohet përmes një cilësie më të madhe në mësimdhënien e shkencave albanologjike dhe në nxitjen e dashurisë për vendin dhe konceptimin e interesit kombëtar në trajtimin e çështjeve të ndryshme. Edhe shkolla "Udha e shkronjave" qëndron në këtë pikë. 

Besa frymëzim i Olimpiadës Kombëtare "Udha e shkronjave"

Olimpiada Kombëtare "Udha e shkronjave" është krijim i shkollës sonë që nga viti 2000. Pjesë e saj është gara e gjuhës shqipe që synon rritjen e cilësisë në përvetësimin e saj. Programet e gjuhës shqipe synojnë rritjen e dashurisë së nxënësve për gjuhën shqipe, e shprehur më bukur në punën e poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. 

Roli i shkollave shqipe dhe Besa

Shkollat shqipe janë faltoret e bujarëve shqiptarë, janë ato që realizojnë atë që Lasgushi e quan "Trashëgim i Shentë" në vargjet "Leu dhe u la për trashëgim me nderim e me qëndrim Besa jonë e Shentëruar" ose që Gëte e shpreh me këto vargje tek Fausti:

"Dhe unë çmoj për më të mirën,

Ç'i kënda një burri zemërthjeshtë,

Në një fole të ngroht' e të qetë, 

Të mbash gjallë Trashëgimn' e Shentë". 


(religion/faith/education)

25 maj 2018 - Përkujtimi i Vëllezërve Frashëri

Ashtu si çdo vit edhe sivjet, më 25 maj 2018, ne përkujtuam në ditëlinjden e Naimit, veprën e rilindasve: Vëllezërve Frashëri. 

25 maj 2012 - Përkujtimi i Rilindasve Frashëri

Ishte viti i njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shkolla "Udha e shkronjave" organizoi të vetmen ceremoni në nder të tyre. Në të u ftuan dhe morën pjesë shkolla "Mustafë Ibishi", Kramovik, Rahovec "Liria", Fortesë, njerëz të kulturës dhe të artit, të politikës, përfaqësues nga Presidenca dhe nga trupi diplomatik. 

25 maj 2013 - Përkujtimi i Vëllezërve Frashëri

Ceremonia është e përvitshme dhe realizohet nga shkolla "Udha e shkronjave" çdo 25 maj, ditën e lindjes së Poetit Kombëtar.

25 maj 2016 - Përkujtimi i Vëllezërve Frashëri

25 maj 2016 - Ishte 170-vjetori i  lindjes së Poetit Kombëtare Naim Frashëri (25 maj 1846). Shkolla "Udha e shkronjave" organizoi konkursin e recitimit "Naim Shqipëria" ku morën pjesë edhe rreth 200 nxënës të Olimpiadës XVI Kombëtare "Udha e shkronjave"

26 maj 2017 - Përkujtimi i Vëllezërve Frashëri

Përkujtimi këtë vit ishte i veçantë. Ne u dhuruam një ekskursion fëmijëve romë, me probleme psiko-sociale, apo ekonomike të dy shkollave të Elbasanit "Xhaferr Hakani" dhe "Sulë Misiri". Nxënësit e shkollës "Udha e shkronjave" e realizuan këtë në kuadër të projekteve të tyre të Kompetencës Globale pjesë e Olimpiadës XVII Kombëtare "Udha e shkronjave"

1 shtator 2014 - Poezia "Korça" e Naim Frashërit

Recitim i poezisë "Korça" të Naim Frashërit nga nxënësit e shkollës "Udha e shkronjave" në Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve të Olimpiadës XIV Kombëtare "Udha e shkronjave" zhvilluar në sallën e Teatrit të Operas dhe të Baletit.

Këngët patriotike të albumit "Zani i atdheut"

Në video janë nxënës të Olimpiadës XVII Kombëtare, klasa 8 & 9 në muzeun e shkollës me libra e flamuj shqiptarë të vjetër duke kënduar dy nga këngët patriotike "Për mëmëdhenë" dhe "Kënga e shoqërisë patriotike Dëshira". Të tjera këngë të këtij albumi janë: "Himni i flamurit", "Dua më shumë Shqipërinë", "Alfabeti shqip", "Zani i atdheut", "Porsi fleta", "Mëma jonë Shqipëri", "Sa të rrojë gjithësia".